“Ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi. [t]: Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Junusi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se besimtaret që bënin hixhret, Pejgamberi ﷺ i provonte me këtë fjalët e Allahut: “O ju që besuat, kur t'ju vijnë besimtaret e shpërngulura (prej Mekës), provoni besnikërinë e tyre, ndonëse Allahu di më së miri për besimin e tyre; nëse vërtetoni se ato janë besimtare, atëherë, mos i ktheni ato te jobesimtarët, pse as ato nuk janë të lejuara për ta e as ata nuk janë të lejuar për to, e ju jepuni atyre (jobesimtarëve) atë që kanë shpenzuar për to (në emër të kororëzimit). Ju nuk keni pengesë të martoheni me to, pasi t'ua jepni vlerën e kurorës. Mos i mbani nën kurorë idhujtaret, por kërkoni (prej idhujtarëve mekas) atë që keni shpenzuar për to, dhe ata le të kërkojnë (prej jush besimtarë) atë që kanë shpenzuar. Këto janë dispozita të Allahut me të cilat Ai gjykon ndërmjet jush; Allahu është Dijeplotë, Urtiplotë.” (Mumtehine, 10) Ajo besimtare që e pranonte këtë kusht, tanimë e kishte pranuar provën. E, nëse ato e pranonin këtë me fjalët e tyre, i Dërguari i Allahut ﷺ u thoshte: “Shkoni, sepse e pranova besën tuaj.” Betohem në Allahun se dora e të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk e ka prekur kurrë dorën e ndonjë femre (të huaj), mirëpo ai ua merrte besën vetëm nëpërmjet fjalëve. Për Allah, ajo që i Dërguari i Allahut ﷺ ka kërkuar nga gratë ishte thjesht ajo me të cilën e ka urdhëruar Allahu. Ai gjatë besatimit u thoshte atyre: “Jua dhashë besën.” Pra, vetëm fjalë.”