“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Abdulhamidi nga Ebu Is'hak Shejbaniu se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim, e, kur perëndoi dielli, njërit prej nesh i tha: “Zbrit dhe më përgatit qull (për iftar) .” - O i Dërguari i Allahut, sikur të ngrysej! - “Zbrit dhe na përgatit qull!” - O i Dërguari i Allahut, sikur të ngrysej! Dita ende s'ka mbaruar. - “Zbrit dhe na përgatit qull!” E, kur i tha për së treti, ai zbriti, i përgatiti pak qull dhe Pejgamberi ﷺ e piu. Pastaj bëri me dorë nga lindja dhe tha: “Kur ta shihni natën se vjen prej andej, atëherë agjëruesi bën iftar.””