“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Sulejman ibn Bilali nga Jahja ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në prani të Pejgamberit ﷺ u përmendën bashkëshortët që mallkohen mes vete (bëjnë lian). Asim ibn Adiu tha diçka në lidhje me këtë dhe shkoi. Një pjesëtar i fisit të Asimit i shkoi pas dhe i përmendi se kishte gjetur një burrë me gruan e tij. Atëherë Asimi tha: “U sprovova për shkak të fjalëve të mia (sepse kjo i ndodhi te të afërmit e tij).” Kështu e çoi atë tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregoi si e kishte gjetur gruan e tij. Burri në fjalë ishte i verdhë, i dobët e me flokë të drejtë, kurse i akuzuari, të cilin e kishte zënë te familja e tij ishte zeshkan, këmbëtrashë, i shëndoshë dhe flokëdredhur. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Allah, qartësoje!” Kështu, ajo lindi një fëmijë që i ngjante të akuzuarit, prandaj Pejgamberi ﷺ zbatoi mallkimin reciprok mes tyre (lianin). Një burrë që ishte në ndejë i tha Ibn Abasit: “Mos ishte ajo për të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të gurëzoja dikë pa argument, do ta gurëzoja këtë?” - Jo. Ajo ka qenë një grua që e shfaqte shthurjen në Islam, - tha Ibn Abasi.””