“Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Abdulala, e këtij i ka treguar Seidi nga Katadja se Hasen Basriu tregon: “Motra e Makil ibn Jesarit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u martua me një burrë, i cili më pas e shkurorëzoi. Ai e la atë derisa i përfundoi ideti, e më pas prapë e kërkoi për martesë, mirëpo Makilin e kapi fanatizmi e krenaria dhe tha: “Ai e la atë, ndërkohë kishte mundësi (që ta kthente më herët), e tani po e kërkon për martesë?” Kështu, ai i pengoi ata dy. Atëherë, Allahu shpalli: “Dhe kur i lëshoni gratë, e ato e përmbushin afatin e tyre (të pritjes), nëse pëlqejnë mes vete ashtu si kërkojnë rregullat, mos i pengoni që të martohen për burrat e tyre. Me këtë këshillohet ai që prej jush e beson Allahun dhe botën tjetër, kjo është më e dobishme për ju, më e pastër, se Allahu e di, e ju nuk e dini.” (Bekare, 232) Rrjedhimisht, i Dërguari i Allahut ﷺ e thirri atë, ia lexoi ajetin, andaj ai e la fanatizmin dhe iu nënshtrua urdhrit të Allahut.””