“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Shuëbe, e këtij i ka treguar Hakemi, e ky nga Ibn Ebu Lejla se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatimja u ankua për dhimbjen e dorës nga mulliri dhe mori vesh se Pejgamberit ﷺ i kishin sjellë një rob. Kështu, ajo shkoi t'i kërkojë një shërbëtor, por, pasi nuk e gjeti aty, ia përmendi Aishes. Kur Pejgamberi ﷺ u kthye, Aishja ia përmendi. Pastaj Pejgamberi ﷺ erdhi te ne, ndërkohë që ishim shtrirë për të fjetur. Ne deshëm të çohemi, po ai na tha: “Qëndroni aty ku jeni.” Ai u afrua dhe u ul mes meje dhe saj, saqë ndjeva të ftohtët e këmbëve të tij në barkun tim dhe na tha: “A doni t'ju mësoj diçka më të mirë se ajo që më keni kërkuar? Kur të shtriheni për të fjetur, bëni tesbih (thoni subhanallah) tridhjetë e tri herë, falënderoni (thoni elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe bëni tekbir (thoni Allahu ekber) tridhjetë e katër herë. Kjo është më e mirë për ju sesa një shërbëtor.””