“Ebu Hazimi transmeton se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha shumë i rraskapitur, takova Omer ibn Hatabin dhe i kërkova që të më lexojë një ajet prej Librit të Allahut. Ai ma lexoi e pastaj u fut në shtëpinë e tij. S'vazhdova gjatë dhe, nga plogështia e uria, rashë përtokë. Kur ja, i Dërguari i Allahut ﷺ më ishte afruar te koka dhe më tha: “O Ebu Hurejre!” I thashë: “Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!” Më kapi për dore, më çoi në këmbë dhe e kuptoi menjëherë çfarë kisha. U nis me mua deri te kafsha e tij e udhëtimit, më dha një kupë me qumësht, prej së cilës piva, dhe më tha: “Pi edhe një herë, o Ebu Hurejre!” Piva prapë. Tha: “Pi përsëri!” Në atë rast piva aq sa barku m'u mbush sikurse kupa. Pastaj takova sërish Omerin dhe ia tregova gjendjen në të cilën kisha qenë më parë dhe i thashë: “Por, këtë punë e mori përsipër dikush që për të ishte më i denjë se ti, o Omer. Betohem në Allahun se atë ajet që kërkova të ma lexoje e dija më mirë se ti.” Omeri më tha: “Betohem në Allahun se të të çoja në shtëpi do të ishte më e dashur për mua se devetë e kuqe!””