“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Mahmud ibn Rebi Ensariu tregon: “Itban ibn Malik Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ishte shok i Pejgamberit ﷺ nga radhët e ensarëve, pjesëmarrës në Bedër, shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë ua fal namazin anëtarëve të fisit tim, por tashmë më është dobësuar shikimi, andaj, nganjëherë, kur reshjet sjellin rrjedhën nëpër luginën që gjendet mes meje dhe tyre, nuk kam mundësi të shkoj dhe t'ua fal namazin në xhaminë e tyre. Do të doja, o i Dërguari i Allahut, që të vije dhe të faleshe në shtëpinë time, ashtu që atë vend ta bëj vendfalje.” - “Do të vij, inshallah (në dashtë Allahu) ”, - i tha Pejgamberi ﷺ. Itbani thotë: “Pas mesditës, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi së bashku me Ebu Bekrin dhe kërkoi leje për të hyrë. E futa brenda dhe, ende pa u ulur, më tha: - “Në cilin vend të shtëpisë dëshiron të falem?” I bëra me shenjë drejt një vendi të shtëpisë, e në atë rast Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe mori tekbir (tha “Allahu ekber"), ndërsa ne u rreshtuam pas tij. I fali dy rekate e dha selam. Pastaj e ndalëm për të ngrënë tasqebap, të cilin e kishim përgatitur për të, kur ja, shtëpia u mbush me një mori burrash të mëhallës. Njëri prej tyre tha: - Ku është Malik ibn Duhshuni? - Ai është hipokrit, nuk e do as Allahun, as të Dërguarin e Tij, - tha dikush. - “Mos fol ashtu! A nuk e dini se ai thotë “la ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën synon kënaqësinë e Allahut?” - u tha Pejgamberi ﷺ. - Allahu dhe i Dërguari e dinë më së miri, porse betohem në Allahun se, sa herë që e shohim, shoqërohet dhe bisedon me hipokritët, - tha burri në fjalë. - “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit (ta djegë) atë që thotë “la ilahe il-lallah”, duke kërkuar me të kënaqësinë e Allahut” , - u tha Pejgamberi ﷺ. Ibn Shihabi ka thënë: “Pastaj e pyeta Husejn ibn Muhamed Ensariun, pjesëtar i fisit benu salim, që ishte njëri prej prijësve të tyre, në lidhje me hadithin e Mahmudit, e ai ma vërtetoi.””