“Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi nga Ibrahim ibn Abdurrahman ibn Abdullah ibn Ebu Rebia se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfen: “Në Medinë një hebre më jepte borxh deri në kohën e vjeljes së hurmave të mia. Toka e Xhabirit, që gjendej përgjatë rrugës drejt pusit Roma, atë vit nuk dha fruta, andaj ia shtyu afatin për një vit. Xhabiri thotë: “Ditën e vjeljeve, hebreu erdhi, por nuk gjeta asgjë për t'i dhënë, andaj i kërkova të ma shtyjë borxhin për vitin e ardhshëm, por ai refuzoi. Kur Pejgamberi ﷺ mori vesh, u tha sahabëve: “Të shkojmë te hebreu e të kërkojmë t'ia shtyjë afatin e borxhit të Xhabirit!” Më pas erdhën në kopshtin tim të hurmave dhe Pejgamberi ﷺ filloi t'i fliste hebreut, i cili i përgjigjej: “O Ebu Kasim! Nuk do t'ia shtyj.” Me të parë këtë, Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe filloi të ecte nëpër kopshtin e hurmave. Pas pak erdhi dhe i foli sërish, por ai refuzoi. Unë mora ca hurma të freskëta dhe ia vura Pejgamberit ﷺ përpara. Ai hëngri dhe tha: “Ku e ke koliben, o Xhabir?” Unë i tregova dhe ai vazhdoi: “Më shtro diçka aty!” Kështu, i shtrova diçka dhe ai u shtri për të fjetur. Pasi u zgjua, i ofrova edhe një grusht hurmash, prej të cilave ai hëngri dhe pastaj shkoi dhe sërish i foli hebreut, i cili këmbënguli në refuzimin e tij. Pejgamberi ﷺ u ngrit edhe njëherë për të kërkuar ndonjë hurmë të freskët nëpër kopsht, pastaj tha: “O Xhabir! Vil sa të mundesh dhe laje borxhin!” Ai (hebreu) u ndal te pjesa që duhej vjelë dhe unë vola aq sa më mjaftonte për ta larë borxhin, madje një pjesë teproi. Pastaj dola dhe shkova te Pejgamberi ﷺ. Kur e përgëzova, ai më tha: “Dëshmoj se jam i Dërguari i Allahut!””