“Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e këtij i ka treguar Ebu Nadri nga Nafiu, i çrobëruari i Ebu Katades, dhe Ebu Salihu, i çrobëruari i Teumes, se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha me të Dërguarin e Allahut ﷺ në një rrugëtim diku midis Mekës dhe Medinës. Të gjithë ishin në ihram, pos meje. Qëndroja mbi kalin tim dhe e kisha zakon që të ngjitesha andej-këndej nëpër kodra. Duke qenë në atë gjendje, pashë se njerëzit shikonin diçka me vëmendje, andaj shkova për të parë çfarë ishte ajo, kur ja, një zebër. U thashë: “Çfarë është ajo?” Thanë: “Nuk e dimë.” Thashë: “Qenka një zebër!” Thanë: “Është mu ajo që e pe.” Unë e kisha harruar kamxhikun, andaj u thashë: “Ma jepni kamxhikun.” Më thanë: “Nuk të ndihmojmë.” Zbrita dhe e mora vetë, pastaj u lëshova pas gjurmëve të zebrës dhe vazhdova derisa e plagosa. Pastaj u ktheva tek ata dhe u thashë: “Çohuni dhe barteni atë!” Thanë: “Nuk do ta prekim.” E barta atë i vetëm dhe e solla pranë tyre. Disa prej tyre refuzuan e disa hëngrën. U thashë: “Do ta pyes Pejgamberin ﷺ se çfarë duhet të veproni ju!” Mbërrita tek ai ﷺ dhe ia tregova ngjarjen, e në atë rast ai më tha: “Ju ka mbetur diçka prej mishit të saj?” Thashë: “Po.” Ai tha: “Hani, sepse, ky ka qenë ushqim me të cilin ju ka furnizuar Allahu.””