“Musa ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Seid ibn Mesruku, e ky nga Abaje ibn Rifae ibn Rafiu, e ky nga gjyshi i tij se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Kur ishim në Dhul Hulejfe me Pejgamberin ﷺ, njerëzit i kaploi uria, por, me të fituar prenë e luftës, fituan shumë deve e dele. Ata u ngutën për t'i përgatitur kusitë (për t'i zier) derisa Pejgamberi ﷺ ishte nga fundi i karvanit. Kur arriti (dhe i pa), Pejgamberi ﷺ urdhëroi të derdheshin kusitë, pastaj i ndau bagëtitë dhe i barazoi dhjetë dele me një deve. Papritmas, atyre u iku një deve, ndërkohë që në mesin e njerëzve atëherë kishte pak kuaj. Njerëzit iu vunë pas, por ajo i lodhi. Njëri prej burrave iu vërsul dhe e gjuajti me një shtizë, e Allahu ua nënshtroi.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. Andaj, nëse ndodh t'ju ikin kështu, veproni me to në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë) .” Rafiu i tha Pejgamberit ﷺ: “Kemi frikë se armiku do të na sulmojë nesër, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë). Vallë, a të therim me kallam?” - “Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes, hajeni, përveç (nëse derdhet gjaku) me dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.””