“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e këtij i ka treguar Seid ibn Mesruku nga Abaje ibn Rifae, e ky nga babai i tij, se gjyshi i tij Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Nesër do ta takojmë armikun, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë)?” - “Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes së saj, ju lejohet ta hani, përveç nëse është (derdhur gjaku me) dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ. Kështu, ata që ishin në krye të karvanit u ngutën, i therën bagëtitë, ndërkohë që Pejgamberi ﷺ ishte nga fundi i karvanit. Pasi ata i kishin vënë kazanët (për t'i zier), Pejgamberi ﷺ urdhëroi të derdheshin, pastaj i ndau bagëtitë dhe i barazoi dhjetë dele me një deve. Papritmas, atyre u iku një deve, ndërkohë që në mesin e njerëzve atëkohë kishte pak kuaj. Një burrë iu vërsul dhe e gjuajti me shtizë, e Allahu ia nënshtroi. Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. Andaj, nëse ndodh që t'ju ikin kështu, veproni me to në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë) .””