“Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi nga Muhamedi, e ky nga Ibn Ebu Bekrete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Koha është rikthyer siç ka qenë atëherë kur Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën. Viti është dymbëdhjetë muaj, katër prej të cilëve janë të shenjtë: tre radhazi: dhul kade, dhul hixhe dhe muharremi, si dhe muaji rexheb i fisit mudar 1 , që gjendet mes muajve xhumada dhe shaban.” Pastaj Pejgamberi ﷺ pyeti: "Në cilin muaj jemi?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thamë. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha: - “A nuk është muaji dhul hixhe?” - Po, ashtu është. - “Cili qytet është ky?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha: - “A nuk është qyteti i shenjtë?” - Po, ashtu është. - “Çfarë dite është sot?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha: - “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit? ” - Po, ashtu është. - “Dijeni mirë se: gjaqet, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë vend, në këtë muaj. Ju do ta takoni Zotin tuaj, i Cili do t'ju pyesë për veprat tuaja. Mos u ktheni në humbje pas meje (pas vdekjes sime) e të vrisni njëri-tjetrin. Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë, sepse atij që do t'i kumtohet ndoshta e kupton më mirë se këta që po e dëgjojnë.” Pastaj tha: “A e kumtova, vallë? A e kumtova, vallë?” Kur Muhamed ibn Sirini e kujtonte (këtë hadith), thoshte: “Pejgamberi ﷺ e ka thënë të vërtetën.””