“Abdullah ibn Mesleme na ka treguar se Maliku transmeton nga Is'hak ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai ka pasur më së shumti hurma ndër të gjithë ensarët në Medinë. Pasuria më e dashur e tij ka qenë kopshti Bejruha. Ngaqë kopshti në fjalë ndodhej përballë xhamisë, herë pas here i Dërguari i Allahut ﷺ hynte dhe pinte nga uji i tij i mirë. Kur zbriti ajeti: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) Ebu Talhai u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, Allahu i Madhëruar po thotë: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...” (Ali Imran, 92) Ndërkaq, pasuria ime më e dashur është Bejruha. Po e jap lëmoshë për Allahun, duke shpresuar mirësinë dhe shpërblimin e saj tek Allahu. E ti, o i Dërguari i Allahut, jepe kudo që Allahu të frymëzon.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Të lumtë! Kjo është pasuri fitimprurëse! Të dëgjova çfarë the. Unë propozoj t'ua japësh farefisit.” Ebu Talhai tha: “Ashtu do t'ia bëj, o i Dërguari i Allahut.” Pastaj, ua ndau atë farefisit dhe djemve të xhaxhait të tij.””