“Sidan ibn Mudarib Ebu Muhamed Bahiliu më ka thënë: Na ka treguar Ebu Masher Basriu, Jusuf ibn Jezid Berai, - i cili konsiderohet i besueshëm, - e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Ahnes Ebu Maliku, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grup shokësh të Pejgamberit ﷺ kaluan pranë një fisi që jetonin afër ujit, njërin prej të cilëve e kishte pickuar akrepi. Një pjesëtar i fisit në fjalë iu afrua atyre dhe i pyeti: “Vallë, mos ndokush prej jush di të bëjë rukje, sepse njërin prej nesh e ka pickuar akrepi?” Atëherë një sahab shkoi dhe ia lexoi suren Fatiha në këmbim të një kopeje delesh. Pasi që burri u shërua, sahabiu mori kopenë e deleve dhe vajti te shokët e tij. Atyre nuk iu pëlqeu kjo gjë dhe thanë: “Kundrejt Librit të Allahut ke marrë kompensim?” Kur arritën në Medinë, e pyetën për këtë Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Ky shoku ynë ka marrë kompensim për Librin e Allahut!” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Gjëja më meritore për të cilën do të merrnit kompensim është Libri i Allahut.””