“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Ebu Mutevekili se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grup i shokëve të Pejgamberit ﷺ u nisën për në udhëtim dhe u ndalën te një fis arab, prej të cilëve kërkuan konak, por ata refuzuan. Kështu, prijësin e fisit në fjalë e thumboi një akrep. Pjesëtarët e fisit bënë çmos për ta ndihmuar, por asgjë nuk i bënte dobi. Dikush tha: “Sikur të shkonit te grupi që u ndalën më herët, ndoshta posedojnë diçka që i ndihmon!” Kështu, vajtën te sahabët dhe u thanë: “O ju njerëz, prijësin tonë e ka thumbuar një akrep! E mjekuam me çka mundëm, por asgjë nuk po i bën dobi. Vallë, mos ndokush prej jush posedon diçka (që i bën dobi)?” - Po, për Allah, unë di të bëj rukje. Mirëpo, për Allah!, ne ju kërkuam konak më parë e ju na refuzuat, andaj nuk do t'ju ofrojmë ndihmë pa na paguar, - tha njëri prej sahabëve. Së këndejmi, ranë në ujdi në këmbim të një tufe delesh. Sahabiu në fjalë shkoi dhe i fryu duke lexuar suren Fatiha. Prijësi u shërua dhe u ngrit e ecte sikurse të mos i kishte ndodhur asgjë. Më pas ua bënë pagesën për të cilën kishin rënë në ujdi. Disa sahabë thoshin: “Ta ndajmë!” Ndërkaq, ai që i kishte bërë rukje, thoshte: “Jo, të presim derisa të shkojmë tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe t'i tregojmë. Të shohim çfarë po na urdhëron ai.” Kur arritën dhe i treguan të Dërguarit të Allahut ﷺ rreth kësaj ndodhie, tha: “E si e dije që ajo (surja Fatiha) është rukje?” Pastaj tha: “Ia keni qëlluar. Ndajeni mes vete dhe lërmëni edhe mua një pjesë.””