“Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Isa ibn Junusi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një pjesëtar i fisit benu zurejk, që quhej Lebid ibn Asami, i bëri sihër të Dërguarit të Allahut ﷺ. Si pasojë e kësaj, i përfytyrohej se bënte diçka të cilën në realitet nuk e bënte. Vazhdoi kështu derisa një ditë, - ose ka thënë: një natë, - teksa ishte tek unë, u lut gjatë, pastaj më tha: “Oj Aishe! A e di se Allahu më njoftoi për atë që e kam lutur? Kështu, erdhën dy burra dhe njëri u ul te koka ime, kurse tjetri te këmbët e mia. Njëri prej tyre i tha shokut të tij: - Çfarë sëmundjeje ka ky burrë? - I është bërë sihër, - tha tjetri. - Kush i ka bërë sihër? - pyeti i pari. - Lebid ibn Asami. - Në çfarë? - Në krehër me flokë dhe në thekun e hurmës. - Ku janë të vendosura këto? - Në Pusin Dhervan, - tha tjetri.” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi atje me disa sahabë dhe, kur u kthye, tha: “Oj Aishe! Uji i atij pusi kishte marrë ngjyrë të kuqërremtë. Frutat e asaj hurme (afër pusit) dukeshin si koka shejtanësh.” Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! A e nxore sihrin prej aty?” Ai më tha: “Allahu më ka shëruar, andaj u frikova se një gjë e tillë mund t'ua kujtojë njerëzve të keqen.” Më pas, Pejgamberi ﷺ urdhëroi që pusi të mbulohet tërësisht me dhé. Transmetimin e Isa ibn Junusit e fuqizon Ebu Usame, Ebu Nadri dhe Ibn Ebu Zinadi, nga Hishami. Lejthiu dhe Ibn Ujejne e transmetojnë nga Hishami: “Në krehër me fije të lirit.””