“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Teksa isha ulur tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërkohë Ebu Bekri ishte aty, gruaja e Rifa Kuredhiut erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kam qenë e martuar me Rifanë, por më shkurorëzoi dhe, pasi përfundoi koha e pritjes (e u përmbush shkurorëzimi i përhershëm), u martova me Abdurrahman ibn Zubejrin. Por, për Allahun, o i Dërguari i Allahut, ai e ka (organin të dobët) sikurse një cep rrobe" - dhe kapi një thekë të xhilbabit të saj. Halid ibn Seidi, duke qenë te dera, meqë nuk iu lejua të hyjë, i dëgjoi fjalët e saj dhe tha: “O Ebu Bekër, a nuk po e ndalon këtë grua të shprehet ashtu para të Dërguarit të Allahut ﷺ?!” Për Zotin, i Dërguari i Allahut ﷺ nuk shtoi asgjë, thjesht buzëqeshi dhe i tha asaj: “Dëshiron të kthehesh te Rifai? Jo, pa i shijuar ai marrëdhëniet intime me ty dhe ti me të (Abdurrahmanin) .” Pas kësaj kjo mbeti sunet.””