“Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Kam ardhur të ta ofroj veten time.” Ajo qëndroi gjatë, ndërkohë Pejgamberi ﷺ i drejtoi sytë nga ajo dhe e shikoi mirë. Pasi u zgjat ndeja e saj, një burrë tha: “Më marto mua me të, nëse ti nuk ke nevojë.” - “A ke diçka për t'i ofruar?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ. - Nuk kam asgjë! - iu përgjigj ai. - “Shko dhe kërko”, - i tha Pejgamberi ﷺ. Ai shkoi e, kur u kthye, tha: “Jo, për Allahun, nuk gjeta asgjë.” - “Shko dhe kërko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!” - i tha Pejgamberi ﷺ. Ai shkoi dhe u kthye, pastaj tha: “Jo, për Allahun, nuk gjeta asgjë, madje as dhe një unazë prej hekuri.” Sehli shton: “Ai kishte izar, por nuk kishte rida, andaj tha: “Po ia jap izarin për mehër.” - “Izarin tënd? Nëse ajo e vesh atë, s'do të mbetet gjë për ty, e, nëse ti e vesh atë, s'do të të mbetet gjë për gruan”, - tha Pejgamberi ﷺ. Burri u largua dhe u ul. Kur Pejgamberi ﷺ pa se ishte larguar, urdhëroi që të thirret dhe i tha: “Sa di prej Kuranit?” Duke numëruar suret, tha: “Di këtë sure dhe këtë sure.” - “Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh prej Kuranit”, - i tha Pejgamberi ﷺ.””