“Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahim ibn Ukbe, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ u ka treguar: “Tre persona dolën për rrugë dhe i zuri shiu, andaj u strehuan në shpellën e një kodre. Papritmas, një gur u rrokullis nga kodra dhe ua mbylli daljen e shpellës, e në atë rast i thanë njëri-tjetrit: “Shikoni ndonjë vepër të mirë që keni punuar për hir të Allahut e luteni Allahun me të, me shpresë se do të na shpëtojë nga kjo (gjendje) .” Atëherë njëri tha: “O Allah! Prindërit e mi kanë qenë të thyer në moshë, ndërsa fëmijët e mi kanë qenë të vegjël. Unë dilja për t'i kullotur bagëtitë dhe, kur kthehesha, i milja dhe qumështin ua dërgoja prindërve për të pirë para fëmijëve të mi. Një natë, pasi u angazhova me bartjen e një peme në një vend tjetër, u vonova derisa ra nata. Kur u ktheva, pashë se prindërit kishin fjetur. I mola delet, si çdoherë, dhe ua dërgova pranë enën me qumësht. Urreja t'ua prishja gjumin, andaj qëndrova te koka e tyre. Në anën tjetër, nuk kisha dëshirë t'u jepja qumësht fëmijëve para tyre, ndërkohë fëmijët gjëmonin para këmbëve të mia. Kështu qëndrova deri në mëngjes (kur ata u zgjuan) . Nëse Ti e di se këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na hap një vrimë, që ta shohim qiellin.” Kështu, Allahu u hapi një vrimë sa për ta parë qiellin. Tjetri tha: “O Allah! Kam pasur një vajzë axhe, të cilën e doja sikurse mashkulli që dashuron shumë një femër. Kërkova prej saj (të vetmohesha me të) , por ajo refuzoi, përveç nëse ia jepja njëqind dinarë. Rrjedhimisht, punova derisa i mblodha njëqind dinarë, e pastaj me to shkova tek ajo. Por, kur u shtriva sipër saj, më tha: “O rob i Allahut, kije frikë Allahun dhe mos ma prish virgjërinë pa kontratë martesore”, andaj u ngrita menjëherë. O Allah! Nëse Ti e di se këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap daljen!” Kështu, Allahu ua hapi edhe pak daljen. I treti tha: “O Allah! Unë pata marrë një punëtor me pagesë kundrejt një shporte me oriz dhe, kur e kreu punën, më tha: “Ma jep hakun tim.” Unë ia dhashë, por ai nuk e mori. Unë punova dhe atë oriz e mbolla në vazhdimësi, derisa bleva shumë lopë dhe barinj. Pas një kohe, u kthye dhe më tha: “Kije frikë Allahun, mos më bëj padrejtësi dhe ma jep hakun tim!” - Shko dhe merri ato lopë e barinj, - i thashë. - Kije frikë Allahun dhe mos u tall me mua! - më tha ai. - Nuk po tallem me ty, por merri ato lopë me barinjtë e tyre! Dhe, ai i mori të gjitha. Nëse Ti e di se këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap pjesën e mbetur të daljes!” Atëherë, Allahu ua hapi daljen tërësisht.””