“Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na e fali namazin e drekës me dy rekate dhe dha selam. Pastaj, u ngrit dhe shkoi te një cung pranë derës së xhamisë dhe e vendosi dorën mbi të. Në mesin tonë ishte edhe Ebu Bekri e Omeri, porse nuk morën guximin ta pyesnin Pejgamberin ﷺ për këtë. Ata që nguteshin, dolën prej xhamisë. Të tjerët thanë: “Mos është shkurtuar namazi?” Midis tyre ishte edhe një burrë që i kishte duart të gjata, të cilin Pejgamberi ﷺ e quante duargjati (dhul-jedejn).” Ai pyeti: - O i Dërguari i Allahut! A harrove apo u shkurtua namazi? - “As kam harruar, as është shkurtuar namazi”, - tha Pejgamberi ﷺ - Në të vërtetë, ke harruar, o i Dërguari i Allahut, - tha ai. - “Duargjati e ka thënë të vërtetën” , - tha Pejgamberi ﷺ. Pejgamberi ﷺ u kthye dhe i fali dy rekate, pastaj dha selam. Mori edhe një tekbir dhe ra në sexhde, sikurse për sexhden gjatë namazit ose më gjatë, pastaj u ngrit duke marrë tekbir, pastaj sërish ra në sexhde sikurse sexhdja paraprake ose më gjatë dhe u ngrit prej saj me tekbir.””