“Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka treguar Revh ibn Ubade, e këtij i ka treguar Husejni, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë dhe më tha: “Jam njoftuar se ti falesh natën dhe agjëron ditën.” - Ashtu është, - i thashë. - “Mos bëj ashtu! Falu dhe fli, agjëro dhe ha , sepse trupi yt ka të drejta ndaj teje, syri yt ka të drejta ndaj teje, mysafirët e tu kanë të drejta ndaj teje, bashkëshortja jote ka të drejta ndaj teje, si dhe mbase do të jetosh gjatë. Prandaj, të mjafton t'i agjërosh tri ditë në muaj: meqë për çdo vepër të mirë shpërblehesh dhjetëfish, i bie se agjëron tërë vitin”, - më tha ai. Abdullahu thotë: Unë këmbëngula, andaj m'u vështirësua. Thashë: - Por unë mundem më shumë se kaq? - “Atëherë, agjëro tri ditë në javë!”, - më tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Vazhdova të këmbëngul dhe m'u vështirësua edhe më shumë. Thashë: - Mundem edhe më shumë se kaq? - “Atëherë, agjëro siç agjëronte pejgamberi i Allahut, Davudi!”, - më tha ai. - E si ka qenë agjërimi i Pejgamberit të Allahut, Davudit? - pyeta. - “ (Agjëronte) gjysmën e kohës”, - m'u përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ.””