“Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hatim ibn Ismaili, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Rrugën për në Hajber e kaluam me të Dërguarin e Allahut ﷺ gjatë natës. Një burrë i tha Amir ibn Ekvait: “A po na reciton diçka nga poezitë e tua?” Amiri ishte poet, andaj filloi të recitojë poezi në prani të njerëzve, duke thënë: "O Allah, pa Ty ne nuk do të udhëzoheshim, S'do të jepnim lëmoshë, as do të faleshim. Falna sa të jemi gjallë, për Ty u flijofshim, Dhe na forco këmbët, në u ballafaqofshim! Qetësinë zbrite të na mbulojë, Nëse thirremi (për luftë) nxitojmë, Edhe nëse me britma na ftojnë.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush është ky ngasës?” - Amir ibn Ekvai, - i thanë. - “Allahu e mëshiroftë!” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, iu sigurua (Xheneti). Sikur të kënaqeshim edhe pak me të!” Pastaj shkuam në Hajber dhe i rrethuam. Ashtu qëndruam derisa na goditi një uri e madhe, e në atë rast Allahu na e çliroi Hajberin. Me t'u ngrysur, në mbrëmjen e po së njëjtës ditë, njerëzit ndezën shumë zjarre. Pejgamberi ﷺ pyeti: - “Ç'janë këto zjarre? Përse i keni ndezur?” - Po ziejmë mish, - i thanë. - “Çfarë mishi?” - Mish gomarësh. - “Derdhini dhe thyejini enët!” - tha Pejgamberi ﷺ. - O i Dërguari i Allahut, a mund t'i derdhim dhe t'i pastrojmë (në vend se t'i thyejmë)? - pyeti dikush. - “Bën edhe ashtu!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Njerëzit u rreshtuan (për luftë). Amiri kishte një shpatë të shkurtër, me të cilën ia mësyu një hebreu për ta goditur, por tehu i shpatës kërceu dhe e goditi Amirin në gju, plagë kjo prej së cilës Amiri vdiq. Kur u nisën për t'u kthyer, Seleme tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ më pa të shqetësuar dhe më tha: - “Çfarë ke?” - Kurban t'u bëfsha me babë e nënë! Po pretendojnë se Amirit i janë shkatërruar veprat, - i thashë. - “Kush ka thënë ashtu ? - Filani, filani, filani dhe Usejd ibn Hudajr Ensariu, - thashë. - “Ka gënjyer kush thotë ashtu. Në të vërtetë, ai i ka dy shpërblime, - dhe, duke i bashkuar dy gishtat, tha: ai ka qenë i zellshëm dhe luftëtar. Të rrallë janë arabët që kanë ecur mbi tokë sikurse ai” , - tha Pejgamberi ﷺ.””