“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Othman ibn Gijathi, e këtij i ka treguar Othmani se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Po rrija me Pejgamberin ﷺ në një kopsht të Medinës, ndërkohë ai mbante një shkop në dorë me të cilin e godiste herë ujin, herë baltën, kur një njeri erdhi dhe kërkoi leje për të hyrë. Pejgamberi ﷺ tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet.” Kur e hapa, pashë Ebu Bekrin, të cilin e lejova të hyjë dhe e përgëzova me Xhenet. Pastaj erdhi një tjetër dhe kërkoi leje për të hyrë. Pejgamberi ﷺ tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet.” Kur e hapa, pashë Omerin, të cilin e lejova të hyjë dhe e përgëzova me Xhenet. Sërish, një burrë tjetër kërkoi leje për të hyrë, e në atë rast Pejgamberi ﷺ, meqë ishte i mbështetur, u ul dhe tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet, pas një sprove që do ta godasë, - ose ka thënë: do t'i ngjajë.” Shkova dhe këtë herë ishte Othmani, të cilin e lejova të hyjë dhe e përgëzova me Xhenet duke i treguar për atë që tha.” Othmani tha: “Allahu është Ndihmëtari.””