“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu. [t]: Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Muhamed ibn Atiku, e ky nga Ibn Shihabi se Ali ibn Husejni transmeton se Safije bint Hujeji (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, i ka treguar se njëherë ajo kishte shkuar gjatë natës tek i Dërguari i Allahut ﷺ për ta vizituar në kohën kur ishte në itikaf në xhami, në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Pasi biseduan një copë herë, ajo u ngrit për të shkuar, ndërsa Pejgamberi ﷺ u ngrit për ta përcjellë. Kur arritën te dera e xhamisë që gjendej në afërsi të derës së Umu Selemes, gruas së Pejgamberit ﷺ, atypari kaluan dy burra ensarë, të cilët i dhanë selam të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe vazhduan tutje me nxitim. Pejgamberi ﷺ u tha: “Ç'keni që nguteni?! Kjo është Safije bint Hujeji.” Ata i thanë: “Subhanallah, o i Dërguari i Allahut!” - duke u ardhur rëndë. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Shejtani qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku, andaj u frikësova mos po ju fut mendime të këqija në zemra.””