“Hasen ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij duke e përmendur nga Ebu Mixhlezi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u martua me Zejnebe bint Xhahshin, i ftoi njerëzit (në dasmë). Ata hëngrën, pastaj vazhduan ndejën duke biseduar. Kështu, Pejgamberi ﷺ bënte sikur donte të ngrihej, por ata nuk u ngritën. Kur pa se nuk po ngrihen, Pejgamberi ﷺ u ngrit vetë. Kur u ngrit, u ngritën edhe një pjesë e njerëzve, ndërsa tri veta vazhduan të qëndrojnë aty. Më pas, Pejgamberi ﷺ erdhi që të hyjë, porse ata ende qëndronin ulur. Më vonë, ata u ngritën dhe shkuan, e në atë rast e lajmërova Pejgamberin ﷺ se ata kishin shkuar, andaj erdhi dhe hyri brenda. Desha të hyj edhe unë, por ai e lëshoi perden mes meje dhe tij. Në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t'ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte Pejgamberin e ai turpërohej (që t'jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t'jua thotë të vërtetën. Kur të kërkoni prej grave të Pejgamberit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.” (Ahzab, 53)”