“Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Verkai, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa thanë: “O i Dërguari i Allahut, të pasurit na e kaluan në gradat e larta dhe në mirësitë e përjetshme! - “Si ashtu?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Po falen siç po falemi ne, po luftojnë siç po luftojmë ne dhe po japin sadaka prej tepricës së pasurisë, ndërkaq ne nuk po kemi pasuri. - “A t'ju tregoj për një gjë, të cilën, nëse e veproni, do t'i arrini ata që kanë qenë para jush, do t'ua kaloni atyre që vijnë pas jush dhe askush s'do të mund t'ju afrohet me punën që e bëni, përveç atij që vepron njëjtë?” - tha Pejgamberi ﷺ. Pastaj vazhdoi: “Bëni tesbih (subhanallah) dhjetë herë pas çdo namazi, tahmid (elhamdulilah) dhjetë herë dhe tekbir (Allahu ekber) dhjetë herë.” Transmetimin e Verkait nga Sumeji e fuqizon Ubejdullah ibn Omeri nga Sumeji. Po ashtu e transmeton ibn Axhlani nga Sumeji dhe Rexhai ibn Hajve. Xheriri e transmeton nga Abdulaziz ibn Rufeji, e ky nga Ebu Salihu, e ky nga Ebu Derdai. Njashtu edhe Suhejli e transmeton nga babai i tij, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”