“Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Othmani se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa ishim me Pejgamberin ﷺ në një udhëtim, sa herë që ngjiteshim përpjetë, bënim tekbire. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “O ju njerëz, mos e ngrini zërin, se nuk po i luteni të shurdhrit a të largëtit. Ju po e lusni Atë që dëgjon dhe sheh.” Pastaj Pejgamberi ﷺ erdhi tek unë, teksa në vete po përsërisja: “La havle ve la kuvete ila bilah (S'ka ndryshim e as fuqi, përveçse me Allahun) ”, dhe më tha: - “O Abdullah ibn Kajs! Thuaj: “La havle ve la kuvete ila bilah”, se ajo është ndër thesaret e Xhenetit.” Ose tha: “A të të tregoj një fjalë që është thesar i Xhenetit: “La havle ve la kuvete ila bilah (S'ka ndryshim e as fuqi, përveçse me Allahun) .””