“Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ka disa melekë që enden nëpër rrugë duke i kërkuar ata që e përmendin Allahun. Kur gjejnë njerëz që e përmendin Allahun, i thërrasin njëri-tjetrit: “Ejani tek ajo që po kërkojmë.” Pastaj i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e dynjasë. Ndërkohë, Zoti i tyre i Madhëruar i pyet, edhe pse Ai e di më mirë: “Çfarë po thonë robërit e Mi?” - Të lartësojnë, të madhërojnë, të falënderojnë dhe të lavdërojnë, - thonë melekët. - A më kanë parë Mua ndonjëherë? - i pyet Allahu. - Jo, betohemi në Allahun se nuk të kanë parë, - thonë melekët. - E çfarë (do të vepronin) po të më kishin parë? - Po të të kishin parë, do të ishin adhurues edhe më të denjë, do të të lavdëronin më fort dhe do të të madhëronin më shumë , - thonë melekët. - Çfarë po kërkojnë nga Unë? - i pyet Allahu. - Po ta kërkojnë Xhenetin, - thonë melekët. - A e kanë parë atë? - i pyet Allahu. - Jo, o Zoti ynë, betohemi në Allahun se nuk e kanë parë, - thonë melekët. - E çfarë (do të vepronin) po ta kishin parë? - i pyet Allahu. - Po ta kishin parë, do të ishin edhe më të zellshëm për të, do ta kërkonin më me ngulm dhe do të lakmonin më shumë në të, - thonë ata. - E nga çfarë kërkojnë mbrojtje? - Kërkojnë mbrojtje nga Zjarri, - thonë melekët. - A e kanë parë atë? - i pyet Allahu. - Jo, o Zoti ynë, betohemi në Allahun se nuk e kanë parë, - thonë melekët. - E çfarë (do të vepronin) , po ta kishin parë? - i pyet Allahu. - Po ta kishin parë, do të iknin prej tij edhe më me ngulm dhe do të frikësoheshin prej tij edhe më shumë, - thonë ata. - Ju bëj dëshmitarë se Unë ua kam falur atyre (mëkatet) , - u thotë Allahu. Njëri prej melekëve thotë: “Por, në mesin e tyre gjendet edhe filani, i cili s'është prej tyre (në adhurim) , por ka ardhur për një punë të veten? - Ata janë njerëz që, kushdo që i shoqëron, s'do të mbetet i pafat, - thotë Allahu Fuqiplotë.” Shuëbe e transmeton nga Ameshi, porse nuk ia atribuon Pejgamberit ﷺ. Po ashtu, e ka transmetuar Suhejli nga babai i tij, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”