“Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ismail ibn Ibrahim ibn Ukbe, e ky nga Musa ibn Ukbe, e këtij i ka thënë Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Misver ibn Mehrame se Amër ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ishte aleat i fisit të Amir ibn Luejit dhe kishte qenë pjesëmarrës në Bedër me të Dërguarin e Allahut ﷺ, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e kishte dërguar Ebu Ubejde ibn Xherrahun në Bahrejn për ta mbledhur xhizjen prej tyre. I Dërguari i Allahut ﷺ lidhi marrëveshje paqeje me banorët e Bahrejnit, e në atë rast Ala ibn Hadremiun e vuri në krye të tyre. Më vonë, Ebu Ubejde u kthye nga Bahrejni me shumë mallra. Me të dëgjuar se ai ishte kthyer, posa e fali namazin e sabahut me Pejgamberin ﷺ, kur Pejgamberi ﷺ e mbaroi namazin, ensarët i dolën përpara e ai buzëqeshi kur i pa, pastaj u tha: “Më duket se keni dëgjuar që Ebu Ubejde është kthyer dhe ka sjellë diçka me vete?” Ata thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Përgëzohuni dhe shpresoni për diçka që ju bën të lumtur, sepse, betohem në Allahun se, nuk frikësohem për ju nga varfëria, por kam frikë se do t'ju zgjerohet dynjaja ashtu siç u ishte zgjeruar atyre që ishin para jush, e pastaj të garoni për të siç garuan ata e t'ju mashtrojë siç i ka mashtruar ata.””