“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Gjëja prej së cilës kam frikë më së shumti për ju është fakti se Allahu do t'jua hapë begatitë e Tokës.” Dikush pyeti: - Çka janë begatitë e Tokës? - “Bukuritë e dynjasë”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ. - A ka mundësi që prej së mirës të vijë e keqja? - pyeti ai. Pejgamberi ﷺ heshti, derisa e kuptuam se po i zbret shpallja. Më pas, e fshiu fytyrën e djersitur dhe tha: - “Ku është pyetësi ? - Ja tek jam, - tha pyetësi. Ebu Seidi shton: “Ne e lavdëruam atë për paraqitjen e tij.” - “Prej së mirës gjithmonë vjen e mira. Pasuria është e hijshme (e bukur për sy) dhe e ëmbël. Gjelbërimi i pranverës e mbyt kafshën duke e fryrë ose e sjell në prag të ngordhjes, përveç asaj që është mësuar me bar të njomë (atë nuk e dëmton) , (e cila ha) derisa t'i mbushen brinjët, kthehet nga dielli (merr rreze) , përtypet, bajgos e urinon, dhe prapë kullot. Pasuria është e ëmbël. Për atë që e fiton me të drejtë dhe e harxhon me të drejtë, sa ndihmë e mirë që është ajo! Ndërkaq, ai që fiton pasuri padrejtësisht është sikurse ai që ha e nuk ngopet”, - tha Pejgamberi ﷺ.””