“Hasen ibn Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e ky nga Ameshi, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po ecja me Pejgamberin ﷺ nëpër pllajën e Medinës, u kthyem nga Uhudi dhe më tha: “O Ebu Dherr!” - Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë. - “Edhe sikur tërë ky Uhud të më shndërrohej në ar, nuk do të kisha pasur dëshirë të më mbetej asnjë dinar më shumë se tri net, përveç dinarit të rezervuar për kthim të borxhit, veçse do t'ua jepja robërve të Allahut, kështu, kështu e kështu”, - (dhe bëri me duar) në të djathtë të tij, në të majtë dhe mbrapa. Pastaj eci dhe më tha: “Ata që kanë shumë, në realitet kanë pak Ditën e Kiametit, përveç atyre që japin kështu, kështu e kështu” - (dhe bëri me duar) në të djathtë të tij, në të majtë e mbrapa dhe vazhdoi: “Por ata janë të paktë.” Pastaj më tha: “Prit aty ku je! Mos u largo derisa të kthehem!” - dhe shkoi më tutje, në errësirën e natës, saqë nuk e pashë. Dëgjova një zë të lartë që më bëri të frikësohesha se mos dikush po i bënte ndonjë gjë Pejgamberit ﷺ, andaj doja të shkoja, por m'u kujtua fjala e tij: “Mos u largo derisa të kthehem!” Kështu, qëndrova aty, derisa u kthye dhe i thashë: - O i Dërguari i Allahut, dëgjova një zë që më bëri të frikësohem..., - dhe i tregova ç'më kishte shkuar në mendje. - “E dëgjove, vallë?” - më tha. - Po. Atëherë Pejgamberi ﷺ më tha: “Ai ishte Xhibrili ﷺ. Erdhi dhe më tha se, kushdo prej umetit tënd që vdes pa i bërë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet. - Edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh? - e pyeta. - Po, edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh, - u përgjigj Xhibrili ﷺ.””