“Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Abdulaziz ibn Rufeji, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, dola dhe pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ tek ecte vetëm, s'kishte askënd me vete. Duke menduar se nuk ka dëshirë që dikush të ecë me të, unë vazhdova të eci nën hijen e hënës (për të mos u parë), mirëpo ai u kthye papritmas, më pa dhe tha: “Kush është?” - Ebu Dherri. Allahu më bëftë kurban për ty! - iu përgjigja. - “O Ebu Dherr, eja!” - m'u drejtua ai. Kështu, unë eca me të për një kohë, pastaj më tha: “Ata që grumbullojnë, ata do të kenë pak Ditën e Kiametit, përveç atij që Allahu i ka dhënë mirësi e ai jep djathtas e majtas, para e mbrapa dhe bën vepra të mira me të.” Ecëm dhe pak kohë, pastaj më tha: “Pritmë këtu!” Më uli në një luginë të rrethuar me gurë dhe më tha: “Prit këtu, derisa të kthehem.” Ai shkoi drejt pllajës, saqë më humbi nga sytë, ku qëndroi gjatë. Teksa po kthehej, e dëgjova duke thënë: “Edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina.” Pasi arriti, nuk m'u durua pa e pyetur: - O i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty, kujt i flisje teksa ishe në pllajë? Nuk dëgjova askënd të të përgjigjej. - “Ai qe Xhibrili ﷺ. Më erdhi në pllajë dhe më tha: “Përgëzoje umetin tënd se, kushdo që vdes pa i bërë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet, - u përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ. - O Xhibril, edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina? - e pyeta. - Po, - më tha Xhibrili. - Edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina? - e pyeta prapë. - Po. - Edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina? - e pyeta sërish. - Po, - m'u përgjigj ai , - madje edhe nëse pi alkool.” Nadri ka thënë: “Na ka rrëfyer Shuëbe dhe na ka treguar Habib ibn Ebu Thabiti nga Ameshi dhe Abdulaziz ibn Rufeji, e këtij ia ka treguar këtë Zejd ibn Vehbiu. Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Hadithi i Ebu Salihut nga Ebu Derdai është i shkëputur (mursel), pra nuk është i saktë.” E kemi transmetuar sa për ta pasur parasysh, kurse hadithi i saktë është hadithi i Ebu Dherrit.” Dikush i tha Ebu Abdullahut: “(Ç'thua për) hadithin e Ata ibn Jesarit nga Ebu Derdai?” Tha: “Edhe ai është i shkëputur (mursel), nuk është i saktë, kurse hadithi i saktë është hadithi i Ebu Dherrit.” Po ashtu tha: “Fshijeni këtë hadith të Ebu Derdait: “Kushdo që vdes me fjalën: “La ilahe il-lallah.””