“Ebu Nuajmi më ka treguar, përafërsisht gjysmën e këtij hadithi: Na ka treguar Omer ibn Dherri, e këtij i ka treguar Muxhahidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Betohem në Allahun, përveç të Cilit s'ka të adhuruar të denjë, se ka pasur raste kur bija përtokë nga uria dhe ka pasur raste kur lidhja gurë në bark, nga uria. Kështu, një ditë u ula mu në rrugën prej së cilës ata dilnin. Atypari kaloi Ebu Bekri dhe e pyeta për një ajet nga Libri i Allahut, jo për tjetër, veçse duke shpresuar se do të më japë diçka për të ngrënë. Por, ai shkoi pa më dhënë asgjë. Pastaj erdhi Omeri, të cilin gjithashtu e pyeta për një ajet të Librit të Allahut, jo për tjetër, veçse duke shpresuar se do të më japë diçka për të ngrënë, porse edhe ai shkoi pa më dhënë gjë. Më pas, pranë meje kaloi Ebu Kasimi ﷺ, i cili, posa më pa, buzëqeshi, sepse, duke më shikuar në fytyrë, kuptoi nevojën time. Ai m'u drejtua: “O Ebu Hirr!” - Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut! - “Eja me mua”, - më tha. U nis dhe unë e ndoqa pas derisa u fut brenda. Kërkoi leje (për të hyrë), pastaj edhe mua më dha leje. Kur hyri, gjeti një tas me qumësht dhe pyeti: “Kush e ka sjellë këtë qumësht?” - Ta ka dhuruar filani, ose filania, - i thanë. - “Ebu Hirr!” - më tha. - Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut! - “Shko tek ehlu sufe (të varfrit e xhamisë) dhe m'i fto të gjithë!” Ata kanë qenë mysafirë të Islamit, nuk kanë pasur as familje, as mall e askënd. Kur Pejgamberit ﷺ i vinte ndonjë sadaka, ua dërgonte atyre, kurse vetë nuk e hante. E, nëse i vinte ndonjë dhuratë, ua dërgonte atyre, por hante edhe vetë prej saj, duke i bërë ata ortak në të. Kjo nuk më pëlqeu, andaj thashë (me vete): “E ç'mund t'u shërbejë ky qumësht gjithë atyre të varfërve, ndërkohë unë jam më meritor të pi prej tij e të forcohem?” Pastaj, kur ata të arrijnë, Pejgamberi ﷺ do të më urdhërojë t'u jap atyre, ndoshta mua s'do të më mbetet asgjë prej atij qumështi. Sido që të jetë, medoemos më duhet ta respektoj Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ. Kështu, vajta tek ata dhe i ftova. Ata erdhën dhe kërkuan leje për të hyrë, e në atë rast ai u dha leje dhe të gjithë u ulën në shtëpi. Pejgamberi ﷺ më tha: “O Ebu Hirr!” - Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut! - “Merre dhe jepu atyre!” Unë e mora tasin dhe fillova. I jepja njërit derisa ngopej, pastaj ma kthente tasin. I jepja tjetrit dhe ai pinte derisa ngopej, pastaj ma kthente tasin. Pastaj të tretit, i cili pinte derisa ngopej dhe ma kthente tasin. Kështu veprova derisa mbërrita te Pejgamberi ﷺ, ndërkohë që të gjithë mysafirët ishin ngopur. I Dërguari i Allahut ﷺ mori tasin dhe e mbajti në dorë. Më shikoi, buzëqeshi dhe më tha: “Ebu Hirr!” - Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut! - “Kemi mbetur unë dhe ti.” - Ashtu është, o i Dërguari i Allahut! - “Ulu dhe pi.” Atëherë unë u ula dhe piva, ndërkaq ai më thoshte: “Pi!” Unë pija, ndërsa ai vazhdonte të më thoshte: “Pi!” derisa i thashë: “Jo, betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën se nuk kam më vend për të.” Atëherë ai më tha: “Ma afro ta shoh!” Kur ia dhashë tasin, ai e falënderoi Allahun, tha: "Bismilah" dhe e piu atë që kishte mbetur.””