“Ali ibn Ajashi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pa një burrë duke i luftuar idhujtarët. Prej të gjithë muslimanëve, ai u bënte ballë më së shumti atyre. Mirëpo, Pejgamberi ﷺ tha: “Kush dëshiron të shohë një banor të Zjarrit, le ta shikojë këtë.” Kështu, një burrë iu vu pas derisa ai u plagos, e në atë rast e përshpejtoi vdekjen: vendosi majën e shpatës në gjoks dhe u mbështet mbi të derisa i doli mes dy shpatullave. Pejgamberi ﷺ tha: “Ka raste kur robi bën vepra të banorëve të Xhenetit, në sy të njerëzve, por, ç'është e vërteta, ai është banor i Zjarrit. Po ashtu, ka raste kur dikush punon vepra të banorëve të Zjarrit, në sy të njerëzve, por, ç'është e vërteta, ai është banor i Xhenetit. Andaj, veprat vlerësohen sipas përfundimit të tyre.””