“Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Mugire ibn Numani, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ u ngrit në mesin tonë, për të na mbajtur një fjalim, dhe tha: “Ju do të ringjalleni të zbathur, të zhveshur dhe të pasynetuar: “... Ashtu siç e kemi filluar krijimin e parë, (ashtu) do t'i kthejmë ato (krijesat). Ky është premtimi Ynë. Ne, këtë, me të vërtetë, do ta bëjmë. ” (Enbija, 104) I pari që do të vishet në Ditën e Kiametit, nga të gjitha krijesat, do të jetë Ibrahimi ﷺ. Atëbotë, do të sillen disa persona prej umetit tim dhe do të dërgohen nga ana e majtë, e në atë rast unë do të them: “O Zoti im, ata janë shokët e mi!” - Ti nuk e di çfarë kanë shpikur ata pas teje, - do të më thotë Allahu. Atëherë unë do të them atë që e pati thënë edhe robi i mbarë (Isai): “... Kam qenë dëshmitar derisa kam qenë në mesin e tyre. E pasi më more mua, vetëm Ti ishe Mbikëqyrës i tyre. Nëse Ti i dënon ata, robërit e Tu janë, e, nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” (Maide, 117-118) Atëherë do të më thuhet: “Ata (pas teje) u tërhoqën dhe u bënë renegatë.””