“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu do t'i tubojë njerëzit në Ditën e Kiametit, e në atë rast ata do të thonë: “Sikur të ndërmjetësonim te Zoti ynë (për ta filluar gjykimin) e të liroheshim nga kjo gjendje .” Prandaj, shkojnë tek Ademi dhe i thonë: “Ti je ai që Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet, në ty ka fryrë shpirtin e Tij (që e krijoi) , melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, andaj ndërmjetëso te Zoti ynë për ne!” Ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë.” Pastaj e përmend gabimin e vet dhe u thotë: “Shkoni te Nuhu, sepse ai është pejgamberi i parë që Allahu e ka dërguar.” Kështu, shkojnë tek ai, por ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë.” Pastaj e përmend gabimin e vet dhe u thotë: “Shkoni tek Ibrahimi, të cilin Allahu e ka marrë për mik.” Kur shkojnë, ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë”, - dhe e përmend gabimin e vet e thotë: “Shkoni te Musai, të cilit Allahu i ka folur drejtpërdrejt.” Kur shkojnë, ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë.” Pastaj e përmend gabimin e vet dhe u thotë: “Shkoni tek Isai.” Ata shkojnë tek ai, por edhe ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë, andaj shkoni te Muhamedi ﷺ, sepse atij i janë falur mëkatet e kaluara dhe të ardhmet.” Kur më vijnë mua, unë i kërkoj leje Zotit tim dhe, me të parë Atë, unë bie në sexhde. Ai më lë në atë pozitë aq sa të dëshirojë, pastaj më thuhet: “Ngrije kokën dhe kërko (ç'të duash) , do të të jepet ; fol (ç'të duash) , do të dëgjohesh dhe ndërmjetëso (për kë të duash) , do të të pranohet!” Unë do ta ngre kokën dhe do ta lavdëroj Zotin tim me fjalët që Ai do të m'i mësojë, pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish) , të cilët unë do t'i nxjerr nga Zjarri dhe do t'i fus në Xhenet. Pastaj kthehem sërish dhe bie në sexhde, sikurse herën e parë; pastaj edhe herën e tretë ose të katërtën. Derisa të mos mbetet në Zjarr askush përveç atyre që Kurani ka përcaktuar të mos dalin.” Katadja shton: “Detyrimisht do të qëndrojnë aty përjetësisht.””