“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “I Dërguari i Allahut ﷺ ngarkoi me punë një person (për mbledhjen e zekatit). Personi në fjalë, pasi e mbaroi punën, u kthye dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kjo është për ju, kurse kjo më është dhuruar mua!” Pejgamberi ﷺ tha: “Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës sate e të shohësh nëse po të dhurohet diçka apo jo?” Pastaj, në mbrëmje, Pejgamberi ﷺ u ngrit pas namazit, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun ashtu siç e meriton Ai dhe tha: “E, më pas. Ç 'është puna e punëtorit që e angazhojmë ne e ai vjen e thotë: “Kjo është për ju, kurse kjo më është dhuruar mua?” Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës së vet, e të shohë nëse po i dhurohet diçka apo jo? Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se, Ditën e Gjykimit, ai që merr nga zekati (padrejtësisht) , do të vijë duke e bartur në qafë: nëse është deve, ai do ta bartë teksa ajo bulurin; nëse është lopë, ai do ta bartë teksa ajo pëllet; e, nëse është dele, ai do ta bartë teksa ajo blegëron.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ e ngriti dorën, saqë i dallohej bardhësia e nënsqetullës. Ebu Humejdi shton: “Këtë hadith të Pejgamberit ﷺ me mua e ka dëgjuar edhe Zejd ibn Thabiti. Pyeteni (po deshët).””