“Ebu Abdullahu ka thënë: Më ka shkruar Muhamed ibn Beshari, e këtij i ka treguar Muadh ibn Muadhi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu se Shabiu tregon se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kishte një mysafir, andaj e porositi familjen e vet që ta thernin kurbanin para se ai të kthehej, në mënyrë që mysafirët të hanin mish. Kështu, ata e therën kurbanin para namazit (të Bajramit), gjë të cilën ia përmendën Pejgamberit ﷺ, e në atë rast ai i urdhëroi të therin një tjetër. Berai tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë posedoj një kec që sapo është ndarë nga thithja e qumështit dhe është më e majme sesa dy dele për mish.” Në transmetimin e tij nga Shabiu dhe nga Muhamed ibn Sirini për të njëjtin hadith, Ibn Avniu ndalej këtu dhe thoshte: “Nuk e di se ky lehtësim, a ka qenë vetëm për të apo edhe për të tjerët?!” Këtë e transmeton edhe Ejubi nga Ibn Sirini, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”