“Hasen ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Haxhaxh ibn Muhamedi, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai, e ky e ka dëgjuar Ubejd ibn Umejrin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ rrinte te Zejnebe bint Xhahshi dhe hante mjaltë, andaj unë dhe Hafsa u morëm vesh që, kur Pejgamberi ﷺ të vijë te cilado prej nesh, t'i themi: “Po të vjen era megafir. Vallë, ke ngrënë megafir?” Kështu, një ditë (pasi kishte ngrënë mjaltë), ai vajti te njëra dhe ajo ia tha fjalët e mësipërme. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Jo. Kam ngrënë mjaltë te Zejnebe bint Xhahshi, por nuk do të ha më.” Atëherë zbritën ajetet e para të sures Tahrim: “O Pejgamber! Përse po ia ndalon vetes atë që ta ka lejuar Allahu, duke kërkuar t'u bësh qejfin grave të tua?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. Allahu ka përcaktuar një mënyrë për t'u liruar nga betimet tuaja. Allahu është Mbrojtësi juaj; Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti. Kur i Dërguari i tregoi një sekret njërës prej grave të tij, ajo e hapi këtë fjalë. Allahu ia zbuloi këtë të Dërguarit, i cili një pjesë të këtij zbulimi ia tha (gruas që ia përhapi sekretin), kurse pjesën tjetër jo. Kur i Dërguari ia tregoi asaj të fshehtën, ajo e pyeti: “E kush të ka treguar ty?” Ai i tha: “Ma tregoi i Gjithëdijshmi, i Mirinformuari.” Nëse ju të dyja ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar, Allahu do t'ju falë. Nëse ju të dyja bashkoheni kundër tij, (dijeni se) Allahu është Mbrojtësi i tij, Xhibrili dhe besimtarët e mirë. Veç kësaj, edhe melekët e mbështesin atë. ” (Tahrim, 1-4) Ky ajet kishte për qëllim Aishen dhe Hafsën. Ndërkaq, ajeti: “ Kur i Dërguari i tregoi një sekret njërës prej grave të tij ...” (Tahrim, 3) ka për qëllim fjalët e tij: “Jo. Kam ngrënë mjaltë...” Ibrahim ibn Musai transmeton nga Hishami (se Pejgamberi ﷺ ka thënë): “Nuk do të ha më, gjë për të cilën betohem, andaj mos i trego askujt.””