“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë merrja mësim (Kurani) prej disa burrave muhaxhirë, në mesin e të cilëve ishte edhe Abdurrahman ibn Aufi. Një ditë, shkova te vendqëndrimi i tij në Mina, por ai kishte shkuar tek Omer ibn Hatabi. Gjithë kjo ishte në haxhin e fundit të Omerit. Kur u kthye Abdurrahmani, tha: “Sikur të kishe parë sot sesi një burrë erdhi te prijësi i besimtarëve dhe tha: “O prijësi i besimtarëve! Çfarë thua për atë që thotë: “Po qe se Omeri do të vdiste, do t'ia jepja besën filanit, ngaqë, betohem në Allahun se, besatimi i Ebu Bekrit s'ka qenë tjetër veçse një besatim i atypëratyshëm që ka mbetur ashtu.” Omeri u zemërua shumë dhe tha: “Vërtet sonte, në dashtë Allahu, do të dal para njerëzve e do t'ua tërheq vërejtjen atyre që duan t'i fusin hundët në çështjet që nuk u përkasin.” Abdurrahmani vazhdon: “I thashë: “O prijësi i besimtarëve! Mos e bëj atë, se ky është sezon që i bën bashkë njerëzit e shtresave të ndryshme dhe mendjelehtët; mu këta do të jenë shumica e atyre që do t'i kesh afër kur të flasësh. Kam frikë se do të thuash diçka së cilës do t'i japin kah tjetër ata që janë të prirë për këtë, s'do ta kuptojnë dhe do ta interpretojnë ndryshe, kështu që prit derisa të shkosh në Medinë, sepse atje është vendi i hixhretit dhe Sunetit, do t'u drejtohesh njerëzve fisnikë e që kuptojnë, e në atë rast do ta thuash atë që ke për ta thënë me siguri të plotë dhe njerëzit e dijes do ta kuptojnë e do ta interpretojnë drejt atë.” Omeri tha: “Atëherë, betohem në Allahun se do ta bëj këtë posa të më jepet mundësia e parë kur të arrijmë në Medinë, në dashtë Allahu.” Ibn Abasi thotë: “Nga fundi i muajit dhul hixhe shkuam në Medinë dhe, kur erdhi dita e premte, unë u nguta për të shkuar më herët, posa dielli filloi të forcohej. Aty e gjeta Seid ibn Zejd ibn Amër ibn Neufelin, i cili ishte i ulur pranë minberit dhe unë u ula pranë tij, madje i mbështeta gjunjët te gjunjët e tij. Qëndrova aty derisa doli Omer ibn Hatabi. Kur e pashë Omerin që u nis drejt minberit, i thashë Seid ibn Zejd ibn Amër ibn Neufelit: “Tani ai do të mbajë një fjalim të atillë që nuk ka mbajtur ndonjëherë që kur është në udhëheqje.” Zejdi nuk më besoi dhe më tha: “E prej nga e ditke se ai do të flasë diçka që s'e ka thënë më herët?” Omeri u ul në minber dhe, posa mbaroi muezini, u ngrit dhe e lavdëroi Allahun ashtu siç e meriton Ai e pastaj tha: “E, më pas; Do t'ju mbaj një fjalim që e konsideroj të nevojshëm, ngaqë ndoshta më është afruar vdekja. Andaj, kush e kupton dhe e mban në mend mirë, le ta tregojë atë në cilindo vend që mund ta përshkojë udhëtimi i tij. E, sa i përket atij që ka frikë se nuk e ka kuptuar mirë, nuk ia bëj hallall askujt që të gënjejë për mua. S'ka dyshim se Allahu e ka dërguar Muhamedin ﷺ me të vërtetën, ia ka zbritur Librin dhe prej ajeteve që Allahu ia ka zbritur është edhe ajeti i gurëzimit, të cilin e kemi lexuar, e kemi kuptuar dhe e kemi mbajtur në mend. Pejgamberi ﷺ e ka zbatuar ndëshkimin me gurëzim, e edhe ne pas tij e kemi zbatuar. Kam frikë se njerëzve do t'u vijë një kohë kur ndokush prej tyre do të thotë: “Betohemi në Allahun se gurëzimin nuk po e gjejmë askund në Librin e Allahut"; e kështu ai do të devijojë duke anashkaluar një obligim të zbritur nga Allahu. Gurëzimi gjendet në Librin e Allahut, si dënim i merituar për atë që bën zina duke qenë i martuar, qoftë burrë, qoftë grua, përderisa provat janë ngritur a përderisa është shfaqur shtatzënia, ose e ka pranuar fajin. Gjithashtu, ndër gjërat që i kemi lexuar në Librin e Allahut është: “Mos i mohoni prindërit tuaj, sepse t'i mohoni prindërit tuaj është kufër (mohim i begatisë) ”, - ose ka thënë: “Për ju është kufër t'i mohoni prindërit tuaj.” Pastaj Pejgamberi ﷺ pati thënë: “Mos e teproni duke më lavdëruar ashtu siç u lavdërua Isai, i biri i Merjemes, por thoni: “Rob dhe i Dërguari i Allahut!” Kam marrë vesh se dikush prej jush ka thënë: “Po qe se Omeri do të vdiste, do t'ia jepja besën filanit!” Prandaj, të mos mashtrohet ndonjëri e të thotë: “Dhënia e besës Ebu Bekrit s'ka qenë tjetër veçse një besatim i atypëratyshëm që ka mbetur ashtu.” Ç'është e vërteta, ajo ka qenë e tillë, porse Allahu na ka ruajtur nga e keqja e saj, ndërkohë asnjëri prej jush nuk ka aso vlere sikurse Ebu Bekri, që njerëzit të tubohen unanimisht rreth tij. Kujtdo që ia jep besën një burri, pa pasur paraprakisht konsultim në mesin e muslimanëve, nuk bën t'i pranohet besatimi, e as atij të cilit ky i fundit ia ka dhënë besën nga frika se mund të vriten që të dy. Kur Allahu ia mori shpirtin të Dërguarit të Tij ﷺ, Ebu Bekri mbeti më i miri prej nesh. Me gjithë faktin se ensarët na kundërshtuan dhe u tubuan të gjithë së bashku te Pushimorja e Fisit Benu Saide, ne, muhaxhirët, përveç Aliut, Zubejrit dhe disave që ishin me ta, u mblodhëm tek Ebu Bekri, të cilit i thashë: “O Ebu Bekër, na u bashkëngjit të shkojmë te vëllezërit tanë ensarë!” U nisëm për të shkuar tek ata dhe, kur u afruam, i takuam dy burra të mirë nga radhët e tyre, të cilët na treguan se për çfarë kishin rënë në ujdi njerëzit. Ata thanë: “Për ku ia keni mësyrë, o muhaxhirë?” Thamë: “Duam t'i takojmë këta vëllezërit tanë ensarë.” Thanë: “Jo, mos iu afroni atyre, por shikoni punët tuaja.” Unë u thashë: “Betohem në Allahun se do të shkojmë tek ata”, - dhe u nisëm derisa iu bashkëngjitëm atyre në Pushimoren e Fisit Benu Saide, në mesin e të cilëve ishte një burrë i mbështjellë. Thashë: “Kush është ky?” Thanë: “Ky është Sad ibn Ubade.” Thashë: “Çfarë ka?” Thanë: “Është i sëmurë.” Pasi qëndruam pakëz aty, ligjëruesi i tyre filloi me shehadetin, e lavdëroi Allahun ashtu siç e meriton Ai dhe tha: “E, më pas; Ne jemi ndihmëtarët (ensarët) e Allahut dhe batalioni i Islamit, ndërkaq, ju, o muhaxhirë, jeni veç një çetë dhe, përveç kësaj, ju jeni një grup që populli juaj ju ka shpërngulur te ne, të cilët tash duan të na shkëpusin meritën esenciale që na takon e të na privojnë nga udhëheqësia.” Kur mbaroi, desha të flas, ngaqë kisha përgatitur një fjalim që më pat lënë mbresa, andaj desha ta prezantoj atë në prani të Ebu Bekrit, duke dashur të qetësoj një pjesë të hidhërimit që e kishte kapluar ligjëruesin. Kur desha të flas, Ebu Bekri më tha: “Merre shtruar!”, por unë nuk desha ta hidhëroj atë, andaj foli Ebu Bekri, i cili ishte më i matur dhe më i qetë se unë. Betohem në Allahun se nuk la gjë prej atyre gjërave që unë i kisha përgatitur veçse i tha me të njëjtën hijeshi, ose edhe më mirë, derisa heshti.” Ebu Bekri tha: “Ato mirësi që i përmendët për vetveten, me të vërtetë i meritoni. Mirëpo, çështja e udhëheqësisë nuk do të vijë nga dikush tjetër pos nga kjo pakicë e kurejshëve, sepse ata janë njerëzit më të mirë ndër arabë, qoftë për nga prejardhja, qoftë për nga vendi. Jam i kënaqur që njëri prej këtyre dy burrave të jetë prijës, andaj jepjani besën cilitdo prej këtyre që dëshironi.” Omeri thotë: “Ai na kapi për dore mua dhe Ebu Ubejde ibn Xherrahun, i cili ishte i ulur mes nesh. Deri në atë moment nuk kisha urryer asgjë prej gjërave që kishte thënë, mirëpo, betohem në Allahun se, sikur të më nxirrnin para njerëzve për të ma prerë kokën, gjë e cila të mos ishte mëkat për mua, do të ishte më e dashur sesa të bëhesha prijës i një populli në mesin e të cilëve ndodhej Ebu Bekri. Allahu më faltë, por, (kështu do të ndihesha) vetëm nëse vetja ime do të ma hijeshonte në çastet e vdekjes diçka që s'kam mundësi ta kujtoj tani për tani!” Njëri nga ensarët tha: “Unë jam më i denji për t'u pyetur rreth kësaj çështjeje, andaj le të jetë një prijës prej nesh dhe një prijës prej jush, o kurejshë!” U shtuan britmat dhe u ngritën zërat, saqë iu frikësova përçarjes, andaj thashë: “Zgjate dorën, o Ebu Bekër!” Ai e zgjati dorën dhe ia dhashë besën, pastaj iu besatuan muhaxhirët, e më pas ia dhanë besën edhe ensarët, ndërsa Sad ibn Ubaden e mundëm. Ndërkohë, njëri prej tyre tha: “E vratë Sad ibn Ubaden!” Thashë: “Allahu është Ai që e vrau Sad ibn Ubaden.” Omeri më vonë tha: “Betohem në Allahun se prej gjithë asaj që diskutuam, nuk gjetëm propozim më të fortë sesa besatimi ndaj Ebu Bekrit dhe u frikësuam se, sikur të ndaheshim prej tyre pa vendosur se kujt do t'ia japim besën, ata do t'i besatoheshin ndonjërit prej burrave të tyre pasi që ne të shkonim, andaj, ose do t'ua jepnim besën atyre për diçka me të cilën nuk ishim të kënaqur, ose do t'i kundërshtonim, rrjedhimisht do të shkaktohej ndonjë trazirë. Andaj, kushdo që i besatohet një burri, pa konsultim paraprak në mesin e muslimanëve, nuk bën që ky njeri të pasohet e as ai të cilit i është dhënë besa, nga frika se mund të vriten që të dy.””