“Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Musa ibn Ebu Aishe se Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe tregon: “Shkova tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e i thashë: “Më trego diçka rreth sëmundjes së të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Ajo tha: “Po, patjetër. Kur Pejgamberit ﷺ iu rëndua sëmundja, pyeti: - “A janë falur njerëzit?” - Jo, po të presin ty, - i thamë. Pastaj tha: “Ma mbushni vaskën me ujë.” Ia mbushëm dhe u la. Kur deshi të ngrihej në këmbë, i ra të fikët. Pasi u kthjell , pyeti: - “A janë falur njerëzit?” - Jo, po të presin ty, o i Dërguari i Allahut! - i thamë. - “Ma mbushni vaskën me ujë”, - tha Pejgamberi ﷺ. Pasi u la, deshi të ngrihej, por sërish i ra të fikët. Kur u kthjell , pyeti sërish: - “A janë falur njerëzit?” - Jo, po të presin ty, o i Dërguari i Allahut! - i thamë. - “Ma mbushni vaskën me ujë”, - tha ai. Dhe, pasi u la, sërish tentoi të ngrihej, por i ra të fikët. Kur u kthjell , pyeti: - “A janë falur njerëzit?” - Jo, po të presin ty, o i Dërguari i Allahut! - i thamë. Ndërkohë, njerëzit ende ishin në xhami duke e pritur Pejgamberin ﷺ për namazin e jacisë. Kështu, dërgoi dikë tek Ebu Bekri që t'i thoshte për t'ua falur njerëzve namazin. Kur i erdhi lajmi, Ebu Bekri, si person i ndjeshëm që ishte, i tha Omerit: - O Omer, falua ti. - Ti je më meritor për këtë punë, - i tha Omeri. Gjatë atyre ditëve, Ebu Bekri u printe njerëzve në namaz. Një ditë, Pejgamberi ﷺ u ndie më lehtë dhe doli për namazin e drekës, me ndihmën e dy burrave, njëri prej të cilëve ishte Abasi, ndërkohë Ebu Bekri po ua falte njerëzve namazin. Kur e pa, Ebu Bekri deshi të tërhiqej mbrapa, por Pejgamberi ﷺ ia bëri me shenjë të qëndronte aty ku ishte. Përcjellësve u tha: “Më ulni pranë tij.” E ulën anash Ebu Bekrit. Ebu Bekri falej në këmbë duke e përcjellë namazin e Pejgamberit ﷺ (i cili falej) ulur, kurse njerëzit faleshin duke e përcjellë Ebu Bekrin. Ubejdullahu thotë: “Shkova tek Abdullah ibn Abasi dhe i thashë: - A të të tregoj çfarë më ka rrëfyer Aishja rreth sëmundjes së Pejgamberit ﷺ? - Tregomë, - tha Ibn Abasi. Ia tregova tërë hadithin e Aishes dhe nuk mohoi asgjë, përveçse tha: - A ta ka përmendur emrin e burrit që ishte së bashku me Abasin (që i ndihmuan Pejgamberit ﷺ për të dalë në xhami)? - Jo, - i thashë. - Ai ishte Ali ibn Ebu Talibi, - tha ai.””