“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ hipi në një kalë, nga i cili u rrëzua dhe vrau anën e djathtë të trupit. Andaj, një prej namazeve e fali ulur, e ulur u falëm edhe ne. Pasi e kreu namazin, tha: “Imami duhet pasuar: kur të falet në këmbë, faluni edhe ju në këmbë; kur të bjerë në ruku, bini edhe ju; kur të ngrihet, ngrihuni edhe ju; kur të thotë: “Semiallahu limen hamideh”, thoni: “Rabena ve lekel hamd"; nëse falet në këmbë, faluni edhe ju në këmbë, e, nëse falet ulur, edhe ju të gjithë faluni ulur.” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Humejdiu ka thënë: “Fjala e Pejgamberit ﷺ: “... nëse falet ulur, edhe ju faluni ulur” është thënë në periudhat e mëhershme. Ndërkaq, në periudhën e fundit të jetës, kur Pejgamberi ﷺ falej ulur, njerëzit faleshin në këmbë dhe nuk i urdhëronte të uleshin. Së këndejmi, dispozitat duhen marrë prej fjalëve dhe veprimeve më të fundit të Pejgamberit ﷺ.””