“Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bishr Ismail ibn Ibrahim Esediu, e këtij i ka treguar Haxhaxh ibn Ebu Othmani, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai, prej familjes së Ebu Kilabes, se Ebu Kilabe tregon: “Një ditë, Omer ibn Abdulazizi i hapi dyert për njerëzit dhe u dha leje për të hyrë. Ndërkohë, ai i pyeti: “Çfarë thoni për betimin kolektiv?” - Betimi kolektiv është hakmarrje dhe është legjitim, sepse me të kanë gjykuar halifët e drejtë, - i thanë ata. Pastaj mua më tha: “Ç'thua ti, o Ebu Kilabe?” - dhe më vendosi para njerëzve. Unë thashë: “O prijës i besimtarëve, ti i ke udhëheqësit e ushtrive dhe prijësit e arabëve, çka mendon po qe se pesëdhjetë prej tyre të dëshmojnë për një person të martuar në Damask se ka bërë zina, porse nuk e kanë parë, a do ta gurëzoje?” - Jo, - tha ai. - Çka mendon po qe se pesëdhjetë prej tyre të dëshmojnë për një person në Homs se ka vjedhur, pa e parë, a do t'ia prisje dorën? - e pyeta. - Jo, - tha ai. - Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka vrarë ndokënd përveç për këto tri arsye: 1. Një person që ka vrarë dikë (padrejtësisht), atëherë është ekzekutuar, 2. Një të martuar që ka bërë zina dhe 3. Një person që e lufton Allahun e të Dërguarin e Tij dhe bëhet renegat nga Islami, - i thashë unë. Disa të pranishëm thanë: “A nuk na ka treguar Enes ibn Maliku se i Dërguari i Allahut ﷺ ka këputur dorë për shkak të vjedhjes dhe ua ka damkosur sytë disa kriminelëve, të cilët më pas i pati lënë në diell?” Unë u thashë: “Do t'jua tregoj unë rrëfimin e Enesit: Enesi më ka treguar se një grup prej tetë personash nga Ukli shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia dhanë besën për Islam. Meqë nuk iu përshtat klima e vendit, ata u sëmurën, andaj u ankuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili u tha: “Përse nuk shkoni me bariun tonë te devetë e tij e të pini prej qumështit dhe urinës së deveve?” - Posi, - thanë ata. Kështu, ata shkuan, pinë qumësht e urinë të deveve dhe u shëruan. Por, më pas e mbytën bariun e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe i morën devetë. Posa i Dërguari i Allahut ﷺ u informua për këtë, dërgoi dikë pas tyre, derisa i kapën dhe ia sollën pranë. Pejgamberi ﷺ urdhëroi që t'u priten duart dhe këmbët, t'u nxirren sytë e pastaj i la në diell derisa vdiqën. Unë thashë: “A ka diçka më të rëndë sesa ajo që kanë vepruar ata? Janë bërë renegatë nga Islami, vranë dhe vodhën?” Anbese ibn Seidi tha: “Betohem në Allahun se kurrë nuk i kam dëgjuar këto gjëra!” - Vallë, po ma refuzon transmetimin, o Anbese? - iu drejtova. - Jo. Ti e rrëfeve ngjarjen ashtu si është. Betohem në Allahun se kjo ushtri do të jetë në mirësi përderisa ky plak është në mesin e tyre, - tha Anbese. Unë thashë: “Rreth kësaj, ka një ndodhi me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Njëherë, një grup ensarësh shkuan te Pejgamberi ﷺ dhe ndenjën duke biseduar. Kur njëri prej tyre doli jashtë, dikush e vrau. Shokët e tij i shkuan pas për ta gjetur të zhytur në gjak.” Rrjedhimisht, u kthyen tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, shoku ynë që rrinte me ne, doli më herët, por e gjetëm të zhytur në gjak. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Për kë mendoni se e ka vrarë? - Mendojmë se hebrenjtë e kanë vrarë, - i thamë. Kështu, ai i thirri hebrenjtë dhe u tha: “A ju e keni vrarë këtë?” - Jo, - i thanë ata. - “A pajtoheni që pesëdhjetë hebrenj të betohen se nuk e kanë vrarë?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ ensarët. Ensarët thanë: “Ata edhe sikur të na vrisnin të gjithëve, nuk brengosen të betohen (rrejshëm).” Pejgamberi ﷺ tha: “A doni të merrni shpagim duke u betuar pesëdhjetë prej jush?” - Ne nuk betohemi, - thanë ata. Kështu, Pejgamberi ﷺ vetë e shpagoi gjakun e tij. Ebu Kilabe vazhdon: “Fisi hudhejl pati braktisur një person të tyre në periudhën paraislame, i cili, një natë, sulmoi një familje jemenase në Bat'ha. Një pjesëtar i familjes e hetoi dhe e gjuajti me shpatë duke e lënë të vdekur. Fisi hudhejl, gjatë sezonit të haxhit, erdhën, e morën jemenasin dhe e dërguan tek Omeri e i thanë: “Ky e ka vrarë shokun tonë.” - Por këta e kanë braktisur atë, - tha jemenasi. Omeri tha: “Le të betohen pesëdhjetë persona të fisit hudhejl se nuk e kanë braktisur atë.” Kështu, dyzet e nëntë prej tyre u betuan. Pastaj erdhi edhe një nga Shami, të cilit i kërkuan të betohet. Por ai e shpagoi betimin e tij me një mijë dërhemë, që të mos betohet. Kështu, në vend të tij futën dikë tjetër dhe e dorëzuan te vëllai i të vrarit, i cili e lidhi për dore të vet. Këta dy dhe të tjerët që u betuan morën rrugë derisa arritën te vendi i quajtur Nahle (afër Mekës). Aty filloi të bjerë shi, andaj ata u futën në një shpellë në kodër. Si pasojë, shpella u shemb mbi të gjithë të pesëdhjetët që u betuan (rrejshëm) dhe të gjithë vdiqën. Dy personat që ishin lidhur mes vete zunë të ikin, porse një gur u rrokullis pas tyre dhe ia theu këmbën vëllait të të vrarit, i cili jetoi një vit dhe vdiq. Ebu Kilabe sërish vazhdoi: “Abdulmelik ibn Mervani mori hakun e një personi me betim kolektiv, pastaj u pendua për këtë vepër dhe urdhëroi që ata pesëdhjetë persona që ishin betuar të fshihen nga regjistri i shtetit dhe i dëboi në Sham.””