“Musa ibn Ismaili na ka thënë: “Na ka treguar Ebu Avane nga Husajni se Fulani tregon se Ebu Abdurrahmani dhe Hiban ibn Atije u grindën mes vete dhe i pari i tha të dytit: “Unë e di se çfarë i ka dhënë guxim njeriut tënd të derdhë gjaqet”, - aludonte në Aliun. Ai i tha: “Çfarë është ajo gjë, mos paç babë ?!” Ebu Abdurrahmani tha: “Diçka që e kam dëgjuar vetë atë duke thënë.” Hibani i tha: “E, çfarë na qenka ajo?” Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na dërgoi në një punë mua, Zubejrin dhe Ebu Merthedin, se ishim kalorës, e në atë rast na tha: “Nisuni dhe shkoni në kopshtin Haxh, ku do të gjeni një grua, e cila mban një letër të Hatib ibn Ebu Beltait dërguar idhujtarëve dhe ma sillni mua.” Kështu, ne u nisëm me kuajt tanë, derisa e arritëm atë, mu aty ku i Dërguari i Allahut ﷺ na tregoi, ndërkaq ajo po udhëtonte me një deve të saj. Ai u kishte shkruar banorëve të Mekës për ardhjen e Pejgamberit ﷺ tek ata. Ne i thamë gruas në fjalë: “Ku është letra që e mban me vete?” Ajo iu përgjigj: “Nuk kam asnjë letër.” Kështu, e ulëm devenë dhe e kontrolluam shalën, por nuk gjetëm asgjë. Shoqëruesit e mi thanë: “Nuk gjetëm asnjë letër.” Unë ua prita: “Ne e dimë se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk gënjen. Betohem në Atë, në të Cilin duhet betuar se, ose do të na japësh letrën, ose do të të zhveshim (për të të kontrolluar)!” Si rrjedhojë, ajo nxori një letër nga shoka që mbante rreth trupit. Kështu, ia dërguam letrën të Dërguarit të Allahut ﷺ. Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, ai ka tradhtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët. Më lejo t'ia pres kokën!” Por, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Hatib, çka të shtyri të veprosh kështu?” Hatibi iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut, nuk është që nuk po besoj në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij ﷺ. Vetëm desha të kem dorë (pozitë) mbi fisin tim, që Allahu, nëpërmjet tyre, të ma mbrojë familjen dhe pasurinë (në Mekë). Ndërkohë, të gjithë shokët e tu atje kanë ndonjë familjar, nëpërmjet të cilëve Allahu ua mbron familjet dhe pasuritë.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Jua tha të vërtetën. Të flitni vetëm mirë për të!” Omeri sërish tha: “O i Dërguari i Allahut, ai (Hatibi) e ka tradhtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, andaj më lejo t'ia pres kokën!” Por, Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “A nuk ka marrë pjesë në Bedër? E çfarë di ti? Allahu i ka parë pjesëmarrësit në Bedër dhe u ka thënë: “Punoni ç'të doni, se ju është bërë obligim Xheneti.” Atëherë, Omerit i lotuan sytë dhe tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij dinë më së miri.””