“Jahja ibn Bukejri më ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “Mbrëmë pashë në ëndërr një re që bënte hije, prej së cilës kullonte gjalpë e mjaltë dhe i shihja njerëzit duke i mbushur duart me to, disa më shumë e disa më pak. Atë çast pashë një litar që zgjatej nga toka në qiell dhe të pashë ty (o Pejgamber) që e kape atë dhe u ngjite lart. Pastaj, për të u kap edhe një burrë tjetër dhe u ngjit lart; pastaj u kap edhe një tjetër dhe u ngjit lart. Më pas u kap një tjetër, por litari u këput dhe u lidh përsëri.” Ebu Bekri tha: “O i Dërguari i Allahut, t'u bëfsha kurban me babë! Për Allahun, më lër ta shpjegoj unë këtë ëndërr!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shpjegoje!” Ebu Bekri tha: “Sa i përket hijes, ajo aludon në Islam e, sa i përket gjalpit dhe mjaltit që kullojnë, aludojnë në Kuranin dhe ëmbëlsinë e tij që pikon, ku dikush merr më shumë prej Kuranit e dikush më pak. Ndërkaq, litari që zgjatet nga qielli në tokë është e vërteta në të cilën je, të cilën e pason dhe, përmes saj, Allahu të ngre lart. Pastaj atë do ta kapë një burrë tjetër dhe do të ngrihet lart përmes tij; pastaj edhe një burrë tjetër do ta kapë dhe do të ngrihet lart me të. Më pas, do të vijë një burrë, të cilit, kur ta kapë, litari do t'i këputet e, më pas, do t'i lidhet përsëri dhe do të vazhdojë të ngrihet lart. Më thuaj, pra, o i Dërguari i Allahut, t'u bëfsha kurban me babë! A ia kam qëlluar apo kam gabuar?” Pejgamberi ﷺ tha: “Disa i ke thënë mirë e në disa ke gabuar.” Ebu Bekri tha: “Po të bëj be në Allahun, pra, o i Dërguari i Allahut! Më trego, ku kam gabuar!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Mos bëj be!””