“Muemel ibn Hisham Ebu Hishami më ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar Aufi, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Semure ibn Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shpeshherë i Dërguari i Allahut ﷺ u thoshte sahabëve: “Mos ka parë ndokush ndonjë ëndërr?” Atëherë, ai që donte Allahu, ia tregonte ëndrrën. Një mëngjes, ai na tha: “Mbrëmë (në ëndërr) më erdhën dy njerëz, më morën dhe më thanë: “Eja!” Kështu, unë u nisa me ta. Gjatë rrugës, arritëm te një njeri i shtrirë, pranë të cilit qëndronte një tjetër me një gur në dorë. Për një moment, ia hodhi gurin mbi kokë dhe, si pasojë, koka iu bë copa-copa, ndërsa guri u rrokullis tutje. Derisa ai shkonte për ta marrë gurin dhe kthehej, këtij koka i shërohej si më parë dhe ai e përsëriste veprimin e njëjtë. Unë thashë: “Subhanallah! Ç'është puna e këtyre?” Më thanë: “Vazhdo! Vazhdo!” Vazhduam rrugën dhe arritëm te një njeri i shtrirë në shpinë, pranë të cilit një tjetër qëndronte në këmbë me një kërrabë hekuri në dorë. Kërrabën që mbante, ia ngulte në njërin skaj të fytyrës dhe ia shqyente faqen deri pas kokës, hundën deri pas kokës dhe syrin deri pas kokës. Pastaj kalonte në anën tjetër dhe vepronte siç kishte vepruar me të parën. Ende pa kryer punë me këtë anë, tjetra i shërohej si më parë dhe ai e përsëriste veprimin e njëjtë . Thashë: “Subhanallah! Ç'është puna e këtyre?” Më thanë: “Vazhdo! Vazhdo!” Vazhduam rrugën dhe arritëm te një gropë si furrë, - ndërkohë, mendoj se ka thënë edhe: - nga e cila dëgjoheshin ulërima dhe klithje. Kur shikuam brenda, pamë burra dhe gra lakuriq, të cilët i përcëllonte një zjarr nga përfundi. Kur zjarri i prekte, ata klithnin. Unë thashë: “Ç'është puna e këtyre?” Më thanë: “Vazhdo! Vazhdo!” Vazhduam rrugën dhe arritëm te një lumë, - ndërkohë, mendoj se ka thënë edhe: - i kuq si gjaku , në të cilin ndodhej një njeri duke notuar, kurse një tjetër në breg kishte mbledhur plot gurë para vetes. Ky që ishte në lumë notonte sa notonte dhe, kur afrohej për të dalë, ai që kishte mbledhur gurë pranë vetes ia hapte gojën dhe i fuste një gur, e në atë rast ai kthehej dhe vazhdonte notin. Sa herë që shkonte aty, ai ia hapte gojën dhe i fuste një gur. Unë pyeta: “Ç'është puna e këtyre?” Ata thanë: “Vazhdo! Vazhdo!” Vazhduam rrugën dhe arritëm te një burrë i shëmtuar, shëmti që nuk i gjen të ngjashëm, i cili pranë vetes kishte një zjarr që e ndizte dhe sillej rreth tij. U thashë: “Ç'është puna e këtij?” Më thanë: “Vazhdo! Vazhdo!” Pastaj arritëm te një kopsht i gjelbëruar, ku mund të gjeje çdo ngjyrë të pranverës. Në ballë të kopshtit qëndronte një burrë i gjatë, të cilit mezi i shihej koka nga gjatësia. Rreth tij qëndronin aq shumë fëmijë, sa kurrë s'kisha parë. Thashë: “Ç'është puna e këtyre? Cilët janë këta?” Më thanë: “Vazhdo! Vazhdo!” Vazhduam tutje derisa arritëm te një kopsht i madh, më i madhi dhe më i bukuri kopsht që kam parë ndonjëherë. Më thanë: “Ngjitu lart!” Kur u ngjitëm, arritëm te një qytet i ndërtuar me tulla ari dhe argjendi. Shkuam te porta e këtij qyteti dhe kërkuam leje, e në atë rast m'u hap porta. Kur u futëm brenda, na pritën ca burra, me gjysmë trupi të pashëm, ndër më të pashmit që mund të shohësh, kurse gjysmën tjetër të shëmtuar, ndër më të shëmtuarit që mund të shohësh. Dy burrat që më shoqëronin u thanë atyre: “Shkoni dhe futuni në atë lumë!” - një lumë që rridhte përmes kopshtit, uji i të cilit dukej i bardhë sikurse qumështi. Kështu, ata shkuan dhe u futën në të. Kur u kthyen, shëmtia u ishte larguar dhe kishin marrë pamjen më të përsosur. Shoqëruesit e mi më thanë: “Ky është Xheneti Adën dhe ja, atje është vendbanimi yt.” Kur ngrita shikimin, pashë një kështjellë si një re të bardhë. Më thanë: “Ai është vendbanimi yt.” U thashë: “Allahu ju bekoftë ju të dyve! Më lejoni të hyj brenda!” Por, ata më thanë: “Sa për tani, nuk mund të hysh brenda, por do të vish më vonë.” U thashë: “Sonte pashë çudira! Çfarë janë ato?” Më thanë: “Tani do të të tregojmë. Sa i përket njeriut të parë, të cilin e hase duke iu çarë koka me gurë është personi që ka mësuar Kuranin, pastaj e ka braktisur dhe i ikën namazi i detyruar duke fjetur. Personi të cilit i shqyhej faqja deri pas kokës, hunda deri pas kokës dhe syri deri pas kokës është ai që del nga shtëpia dhe lëshon një gënjeshtër, e cila përhapet anembanë vendit. Burrat dhe gratë lakuriq, që ndodheshin në gropën si furrë, janë zinaqarët dhe zinaqaret. Ndërkaq, njeriu, të cilin e pe duke notuar në lumë dhe i futeshin gurë në gojë, ai është kamatangrënësi. E, sa i përket atij të shëmtuarit që ndodhej pranë zjarrit, të cilin e ndizte dhe sillej rreth tij, ai është Maliku, rojtari i Xhehenemit. Burri i gjatë që ndodhej në kopsht është Ibrahimi ﷺ, kurse fëmijët rreth tij janë të gjithë të porsalindurit që kanë vdekur në natyrshmërinë e pastër.” Disa muslimanë thanë: “O i Dërguari i Allahut, edhe fëmijët e idhujtarëve?” I Dërguari i Allahut ﷺ u përgjigj: “Edhe fëmijët e idhujtarëve.” Pastaj vazhdoi: “E, sa u përket atyre që një pjesë e kishin të bukur, kurse pjesën tjetër të shëmtuar, janë personat që i kanë përzier veprat e mira me vepra të tjera të këqija, që Allahu i ka falur.””