“Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi se Shekiku tregon se e ka dëgjuar Hudhejfën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke treguar: “Ishim në një ndejë tek Omeri dhe, ndërkohë, ai na pyeti: - Cili prej jush e di hadithin e Pejgamberit ﷺ rreth fitneve (trazirave)? Unë i thashë: “Fitnet e njeriut në familjen, pasurinë, fëmijët dhe fqinjët e tij shlyhen nga namazi i tij, sadakaja dhe urdhërimi në të mirë e ndalimi nga e keqja.” - Nuk është kjo që po kërkoj. E kam fjalën për fitnen, e cila do të tallazohet siç tallazohet deti, - tha Omeri. - Nuk ke pse shqetësohesh prej saj, o prijës i besimtarëve! Mes teje dhe saj është një derë e mbyllur, - i thashë. - A do të thyhet kjo derë, vallë, apo do të hapet? - pyeti Omeri. - Do të thyhet. - Atëherë, nuk paska për t'u mbyllur më, - tha Omeri. Shekiku thotë: “Dikush prej nesh e pyeti Hudhejfën: “A e dinte Omeri, vallë, se kush ishte ajo derë?” Ai tha: “Po, ashtu siç e dinte se të sotmen e pason e nesërmja, ngaqë unë i tregova një hadith që nuk përmban gënjeshtra.” Nuk patëm guxim ta pyesnim Hudhejfën (kush ishte dera e përmendur në hadith), andaj e porositëm Mesrukun dhe ai e pyeti: “Kush ishte dera?” Ai tha: “Ajo derë ishte vetë Omeri.””