“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ iu rëndua sëmundja, Bilali erdhi për ta thirrur për namaz. Pejgamberi ﷺ i tha: - “I thoni Ebu Bekrit t'ua falë njerëzve namazin.” - O i Dërguari i Allahut! Ebu Bekri është njeri i ndjeshëm. Nëse të zëvendëson ty, nuk arrin të lexojë në namaz (nga të qarët). Sikur t'i thoshe Omerit? - i thashë unë. - “Urdhërojeni Ebu Bekrin t'ua falë njerëzve namazin!” - tha sërish Pejgamberi ﷺ. I thashë Hafsës: - Thuaji (Pejgamberit ﷺ): “Ebu Bekri është njeri i ndjeshëm. Nëse të zëvendëson ty, nuk arrin të lexojë në namaz (nga të qarët). Sikur t'i thoshe Omerit?” Pejgamberi ﷺ na tha: - “Jeni bërë si gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. Urdhërojeni Ebu Bekrin t'ua falë njerëzve namazin!” Kur Ebu Bekri filloi t'ua falte namazin, i Dërguari i Allahut ﷺ u ndie më lehtë, andaj doli (në xhami), duke e mbajtur për krahësh, ndërsa këmbët i shkonin zvarrë. Me të dëgjuar frymëmarrjen e tij, Ebu Bekri u tërhoq mbrapa, por i Dërguari i Allahut ﷺ i bëri me shenjë (të qëndronte aty ku ishte) dhe u ul anash tij. Kështu, Ebu Bekri falej në këmbë, kurse i Dërguari i Allahut ﷺ ulur. Ebu Bekri e përcillte namazin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, ndërsa njerëzit e përcillnin namazin e Ebu Bekrit.””