“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Muhamed ibn Xhubejr ibn Mut'imi tregon: “Muaviu, teksa ishim të pranishëm tek ai si pjesë e një delegacioni nga kurejshët, dëgjoi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u tha njerëzve se do të paraqitet një mbret nga fisi kahtan. Kjo e zemëroi Muaviun, andaj u ngrit, e lavdëroi Allahun ashtu siç i takon dhe tha: “E, më pas... Kam dëgjuar se disa prej jush po tregojnë gjëra që nuk gjenden as në Librin e Allahut e as janë transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ. Të tillët janë injorantë, andaj kini kujdes nga të ushqyerit me shpresa të kota me të cilat njerëzit devijojnë, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Kjo çështje (hilafeti) do të mbetet në mesin e kurejshëve , për sa kohë që ata i përmbahen fesë . Çdokënd që u bëhet rival atyre (në këtë çështje) , Allahu do ta përmbysë me fytyrë në Zjarr.” Transmetimin e Shuajbit e fuqizon Nuajmi nga Ibn Mubareku, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Muhamed ibn Zubejri.”