“Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi Medeniu se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se disa pjesëtarë të fisit benu amër kishin një zënkë mes vete dhe, kur Pejgamberi ﷺ mori vesh për këtë, e fali namazin e drekës dhe shkoi për t'i pajtuar. Kur hyri koha e namazit të ikindisë, Bilali e thirri ezanin dhe ikametin, pastaj i tha Ebu Bekrit që t'u prijë. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ erdhi në kohën kur Ebu Bekri tashmë ishte në namaz, andaj vazhdoi përpara duke i çarë rreshtat e njerëzve, derisa mbërriti prapa Ebu Bekrit dhe u vendos në rreshtin pas tij. Në atë rast, njerëzit filluan t'u binin shuplakave. Kur Ebu Bekri futej në namaz, zor se shpërqendrohej derisa të mbaronte, por, kur pa se rrahja e shuplakave s'kishte të ndalur, ai shikoi anash dhe e pa Pejgamberin ﷺ pas tij. Pejgamberi ﷺ i bëri me shenjë që të vazhdonte namazin ashtu si ishte. - Pasi ai i bëri ashtu me dorë, - Ebu Bekri mbeti për një çast në vend, derisa e falënderoi Allahun për atë që Pejgamberi ﷺ e urdhëroi, pastaj eci mbrapa dhe u rreshtua në saf. Me të parë këtë, Pejgamberi ﷺ kaloi përpara dhe ua fali njerëzve namazin. Kur mbaroi, tha: “O Ebu Bekër! Çfarë të pengoi të vazhdoje pasi të bëra me shenjë?” Ai tha: “Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafës t'i prijë Pejgamberit ﷺ në namaz.” Pastaj Pejgamberi ﷺ u tha njerëzve: “Nëse dikush dyshon diçka në namaz (të imamit) , burrat le të thonë: “Subhanallah”, kurse gratë le t'u bien shuplakave!””